(Përshtypje dhe mbresa nga udhëtimi nëpër Lumin e Shushicës)/
Reportazh nga Ylli XHAFERRI/
Rasti e solli, që për shkak të detyrës, të isha me shërbim për probleme pune në Luginën e Shushicës, në lumin e Vlorës, të cilin plot dëshirë e quaj, siç dhe është në të vërtetë, Lumi i Bardhë i Jetës, nga që përshkon si ylber, si Trini e Shenjtë, në emër të bardhësisë, kaltërsisë dhe gjelbërimit, tërë Krahinën Malore Jugore të Shqipërisë. Shkonim për të realizuar një grafik takimesh në sensibilizimin e prindërve të nxënësve që nuk shikojnë, të bënim realitet objektivat e Qeverisë “Berisha” për reformën në arsimin parauniversitar, integrimin e tyre në shoqëri jo për keqardhje e mëshirë, por me dinjitet, krenari dhe kontribut njerëzor. Për shokë rruge kisha specialistë të Institutit “Ramazan Kabashi” dhe shoferin, këngëtarin popullor, bilbilin e Labërisë, Nazif Çelaj, që për djep të vetes dhe këngës kishte fshatin, Lapardhanë e tij, mbi hapësirat e së cilës më bëhej se ende ushtonte si flatrim pëllumbash kënga “Janinës, çi panë sytë”. Që të hysh në Tempullin e Lumit të Shushicës, nuk mund të ketë fillim më të mbarë se sa ngjitja në Kalanë e Kaninës nga ku ke si në pëllëmbë të dorës Gjirin e Vlorës, Luginën e Shushicës, Gadishullin e Karaburunit, Ishullin e Sazanit, Malin e Tomorit e më tej. Madhështore, epike dhe hijerëndë, Kanina vigjilon në veriperëndim të Malit të Lungarës, 6 km larg nga qyteti i Vlorës. Kjo kala e lashtë përmendet nga shekulli IV p.e.s. Zbulimet arkeologjike dokumentojnë aty gjurmë të periudhës ilire. Mendohet se kalaja është ndërtuar në shek III, gjurmët e mëpasme dëshmojnë të gjitha periudhat historike, bizantine, veneciane e turke. Ajo u rindërtua nga perandori Justinian në shek V, pastaj u rikonstruktua nga sulltan Sulejmani më 1531. Ndodhet në mes të gjirit të Vlorës, majë kodrës në lartësinë 380 m, ku malet i afrohen bregut të detit fare pranë. Në këtë parajsë të tokës së arbrit nusërojnë portokallishte dhe ullishta shekullore, ku gëmushat e gjineshtrave kanë ndezur luledritat e stinës, mes të cilave valëviten palat e fustanellës luftarake të mureve të vjetër, Kaninës së lavdishme. Kalaja ka një sipërfaqe prej 3.6 hektarësh dhe mbrohet nga 18 kulla, çka dëshmojnë fuqinë e saj administrativo-qeveritare për kohën. Lugina e Lumit të Vlorës afrohet rrëzë kodrës duke e lehtësuar ndjeshëm lidhjen e zonës bregdetare me hinterlandin, Ndërsa në jug malet fitojnë lartësi të madhe, duke thelluar ndjeshëm largësinë midis detit Jon dhe Lumit të Shushicës. Lugina ka një gjatësi prej 56 km, ndërsa gjerësia shkon nga 500 m deri në 5 km, duke krijuar një fushë pjellore që si gjendet shoqja në faqe të dheut, ku spikatin si diamante të rralla gjeomonumente, hidromonumente dhe biomonumente mahnitëse. Udhëtonim përmes gjelbërimit dhe freskisë jetëdhënëse të Shushicës, shtrati i së cilës krijon dredha të shumta e nivele tarracash lumore të dobishme. Ciceron për historinë, gjeografinë dhe etnografinë e krahinës nuk kisha, kështu që thirra kujtesën. Më të mirë se Ago Agaj nga Smokthina dhe libri i tij “Lufta e Vlorës”, një dokument autentik me vlera të shumëfishta, nuk mund të gjeja. Ky libër i shkruar në syrgjyn, në vetminë përvëluese të shkretëtirës së Saharasë, për të ardhur në vendlindje si dëshmi e bardhë vonë, shumë vonë, si gjëmë e vaj zgjuar nga balada e nizamit “Mbeç, more shokë, mbeç”. Ky patriot dhe intelektual u nëm e mallkua nga diktatura komuniste sa dhe një varr për shenjë nuk iu dha në dheun që e deshi aq shumë, ku si ministër i bujqësisë në Qeverinë e Rexhep Mitrovicës gjatë Luftës së Dytë Botërore, shpëtoi nga vdekja me qindra familje herreje, duke i dëshmuar botës së qytetëruar madhështinë e kodit etiko-moral dhe shpirtin humanist shqiptar. Lamë pas Drashovicën, rruga kalonte mes Monumentit hiperbolik dhe urës së lavdishme, por nuk e di përse mu kujtua albanologu Johan Georg von Hahn, i cili në veprën “Studime Shqiptare” Drashovicën e përmend për cilësinë e rrallë të gurit të strallit, xeheror që shitej në Shkodër, Beograd e Mal të Zi. Peizazhi ndërronte ngjyra e përmasa. Pyjet dhe pemëtoret kapur dorë për dore dukeshin si burrat e Vranishtit në valle, valle që e printe plot elegancë ulliri, degët e të cilit shpalosnin paqen midis tokës dhe qiellit, njerëzve dhe natyrës. Isha vizitor në galerinë e gjallë të arteve të natyrës. Zërat njerëzor, shushurima e ujërave të kristalta, cicërimat e zogjve, blegërimat dhe puhiza ledhatare e detit më sillnin të gjallë zërin e magjishëm të aktorit Kadri Rroshi tek recitonte poemën “Bagëti e bujqësi” të Naim Frashërit. Dy anëve të lumit shfaqeshin vargmale, pyje, fshatra, vreshta, ullishta të reja, kopshte mollësh, pjeshkash, kaisishë, kumbullash, portokajsh dhe limonësh. Labëria punonte, një me drapër korrte grunoret e florinjta, dikush me shatë ujiste misrin, një i tretë me kërrabën në dorë dhe fyellin në buzë çonte tufën në mriz, ndërsa amvisat e bukura labe në stane dhe magje s’i hiqnin nga duart e arta shtizat. Këto Penelopa moderne s’reshtnin së thururi me dashuri, pasion, talent e elegancë lumturinë e fëmijëve dhe burrave të tyre. Hymë në Kotë, fshat në bregun e djathtë të Lumit të Shushicës që dëshmohet si vendbanim ilir, ku janë gjetur monedha me mbishkrimin “Amantia”. Nazifi këndonte me vete: “Obobo se ç’qënkej Kota/ mbytur top e mitraloza/ Shkoza ç’u bë lakëra/ u vra Kanan Mazeja/ Kanan t’u prish bukuria/ ç’ka se mbeta unë pa gojë? / po Shqipëri të rrojë!”. Nga këto treva mitike do të dilte Nuredin bej Vlora, sqimatari me frak që thirri në shesh të mejdanit për duel kontë e baronë në mes të Parisit, vetëm se përkrahnin pushtimin italian të djepit dhe varrit të tij, Shqipërisë. Lart ishte kalaja e Cerjes, kurorë trimërie mbi fshatin Brataj. Përballë nesh, anë xhadesë vinte një kalorës, flokët e gjatë dhe pela e kuqe hedhur në galop më sollën vetiu në mend vargjet për “leshraprerën” apo “bishtkorrën”, çka simbolizonin gruan që i ka vdekur burri, apo pelën që i ka vdekur i zoti. Zakoni lab i flokëve të gjatë shkonte larg në antikitet, deri tek Leka i Madh, që kur i vdiq shoku besnik preu flokët e gjatë, duke dëshmuar një profil etnografik shqiptar, sa dhe “Larrousse illustre” i vitit 1946 portretin e tij e jep veshur me këmishë me mëngë të shkurtra, të gjerë dhe me pala, si fustanella e Labërisë. Pimë një kafe në lokalin e djalit të rapsodit Feti Brahimi, portreti i të cilit më solli në kujtesë aktorin kosovar Bekim Fehmiu. Midis tipareve eshtake të fytyrës dhe mjekrës së bukur labe dhe asaj të kosovarit të shquar ruhej tipi-gjenetik i shqiptarit për të cilin ndjehemi krenar. Krenaria duket sikur e kishte djepin e saj në Luginën e Shushicës. Mbi harkun e lartë të Urës së vjetër të Bratajt që rrezatonte një nur të rëndë mu bë se pashë siluetën e ndritur të aktorit Sandër Prosi, që nuk reshte së luajturi misionin e artistit dhe patriotit edhe pas vdekjes nëpërmjet filmit “Udha e Shkronjave”, kujtime që ishin ngulitur thellë tek banorët e zonës. Ishim në dilemë, dëshirat në kapërcyell. Kë të vizitonim Valin e Vranishtit apo Ujëvarën e Ramicës? Astrit Jegeni dëshironte t’i shihnim të dyja. Vali është një gropë karstike rreth 2 km e gjatë me bimësi të pasur dhe kullota alpine në kurriz të malit të Bogonicës, ndërsa Ujët e Varur bie nga një lartësi prej 15 metrash në një gropë të thellë me ujë kristal. Midis bukurive është vështirë të zgjedhësh, për më tepër kur koha rridhte shpejt. Ishte e pamundur t’i shihnim të gjitha…Ikën, lamë pas Burimin e Kripur të Bashajve, Karthin e Tërbaçit, Rrapin e Shënvarvarës së Velçës. Ngado bukuria të shkruhej në sy. Pëllëmbë e bukuri, pëllëmbë e histori, pëllëmbë dhe krenari. Kështu iu afruam Qafës së Dushkut, një rrugëtim malor me pamje të rralla, të denja edhe për giudat turistike më elitare të botës. Fshati më i afërt ishte Vajza, ku ka dokumentime, gjetje arkeologjike, tuma, etj. 5 km më tej është qyteti antik i Ilirisë jugore. Amantia, një magji ndërtimi e antikitetit të largët. Mali i Gribës si Tartari, qethur nga bimësia, zbardh ende nga bora e pashkrirë. “U mbars mali dhe polli flori”…Vërtetë flori e shkuar floririt është Amantia, ndërtuar në lartësi malesh me një sipërfaqe prej 15 ha. Aty hijeshon stadiumi, shkallinat e gurta përbëjnë befasinë dhe madhështinë e qytetit ilir. Stadiumi ka 17 radhë të gurta, tribuna qendrore mban 3000 shikues. Stadiumi i Amantias përmendet në lashtësia për cilësinë e lojërave olimpike që zhvilloheshin aty. Në Amantia ruhen gjurmët e tempullit të Afërditës, teatrit, nekropolit, varre monumentale, si dhe bazilika e pasur me plastikë dekorative arkitektonike, që ftojnë vizitorë për t’u mrekulluar. Labi siç të merrte gjak në vetull nuk mungonte ta ndiqte historinë. Ai nuk e kishte për gjë që toponimet vendase t’i pagëzonte me emra kombësish e shtetesh të largëta, por që njerka histori ia kishte hedhur fytafyt kundër. Ndaluam tek “Ura e Frëngut” në fshatin Gjorm, ku dëshmohen beteja të egra me pushtuesit italianë gjatë Luftës së Vlorës. Nazifi nuk flet, por këndon, këndon me vete: “Qasi shokë të këndojmë / se sonte pa nesër shkojmë / kush e di ku qëndrojmë / Janinë apo Mesolongjë”. Rruga kalon pranë shtratit të thellë të lumit. Aty ngrihet Lepenica, shquar për vendin, por më shumë për njerëzit. Në Lepenicë është një shpellë karstike, formuar nga shkëmbinj gëlqerorë në formën e guvës, në muret e së cilës gjenden vizatime të hershme me vlera të mëdha arkeologjike. Shpella e shkruar e Lepenicës është në një strehë shkëmbi në lartësi 800 m mbi nivelin e detit, datohet 3600 vjet p. e. s. Piktura përbëhet nga 19 figura antropomorfe dhe 8 figura gjeometrike të çrregullta, pikturuar me vija të gjera dhe bojë minerale ngjyrë kafe. Piktura më kujtoi një fakt nga jeta e “Skulptorit të Popullit”, Odise Paskali, që lidhej me Smokthinën, kur punonte në Vlorë për realizimin e Monumentit të Pavarësisë. Teksa gdhendte figurën e flamurtarit nuk po e kapte dot çastin. Kishte dalë të çlodhej në rrugën e skelës, aty ku kërkonin punë hamejtë, argatët dhe lypësit. Fytyra e egërsuar e një labi e shkundi nga trallisja. Iu afrua. Kërkonte punë për një lek ditën. Puno me mua, dy lekë dita!- e kishte ftuar skulptori. Labi i panjohur pozoi për ditë, ditë që u kthyen në miqësi të pasur, sa fukarai nuk pranoi të merrte hakun e punës që nuk mund ta quante punë. Sa herë shkonte në Vlorë, Odise Paskali, ngjitej drejt Lepenicës. Vizitonte stanin e varfër të mikut të paharruar, labin e mirë, modelin e Flamurtarit…Përsëri pamë rrënojat e një kalaje. Kalaja e Vranishtit. Përballë Shpella e Boderit në Smokthinë. Tubat e hidrocentralit që rrëzonin ujin drejt turbinës shkëlqenin nën rrezet e diellit jo natyrshëm për atë peizazh të virgjër. Tutje, në Malin e Çikës fshihet “Shpella e Shëngjergjit”, që thërritet nga vendasit “Shpella e Bletës”. Shpella është 100 m e gjatë, ka një gjerësi dhe lartësi mbi 4 metra. Në të gjenden murana të hershme, thuhet se shpella është përdorur nga mbretëresha ilire, bukuroshja Teuta. Në horizont lartësohet kërcënueshëm Mali i Vetëtimës. Labi tradicional kishte kullotur bagëtitë në shtrofullat përvëluese të vetëtimave. Edhe Zeusi vetë e kishte pasur zili… Shushica nanuriste ëmbël e butë, si ninullë e nënës natyrë. Morëm rrugën e fshatit Kuç. Emri “Kuç” përmendet për herë të parë në regjistrin e Halil Inalçikut në Turqi më 1431, ku dëshmohet se fshati ka 49 shtëpi e 180 banorë. Albanologu, Norbert Jokli, emërtesën “Kuç” e lidh me “kudh”-i, si dimunitiv të kësaj fjale, e shqipton si “vorbe dyveshëshe”, emërtim që lidhet me formën fizike të vendit. Dy veshët e “vorbës” janë Maja e Shkagës nga njëra anë dhe ajo e Bogonicës në anën tjetër, kurse fundi i saj është gropa tek Buronjat…Konsulli gjakatar, Pal Emil, shkatërroi disa vendbanime në Kuç, për këtë masakër u denoncua në senat nga Ciceroni. Në shekullin I të e.s. romakët ndërtuan kalldrëmet e rrugëve që rrjedhin ende, si: Shkallë-Pori-Kuç-Progonat, Pilur-Shkallë-Kallarat, rrugë për karroca dhe kalorës, anës së cilës rridhnin kroje, gjurmët e të cilëve ruhen edhe sot e kësaj dite. Kuçi është 620 m mbi nivelin e detit, 62 km larg Vlorës. Fshati rrethohet nga kurora malesh të lartë: Papadhia me lartësi 1481 m. Vali i Papadhisë është një pllajë e sheshtë prej 7 ha, me kullota verore, ku mund të ndërtohet një aeroport për aviacion civil e ushtarak, helikopterë, etj. Aty mund të zhvillohet agro-turizmi elitar, gjuetia e kafshëve dhe e shpendëve të egra si: lepuri, kunadhja, thëllëza, pëllumbat. Ngjitur me të është mali i Golemit, (Gjoshnikoshi 1533m). Nga maja e Golemit të Jugut të Shqipërisë mallëngjehem për fshatin tim të lindjes, Golemin e Kavajës në mes të Shqipërisë, plazhin bujar të gjithë shqiptarëve…Klima e Kuçit është midis së butës mesdhetare të Borshit dhe së ashprës së Kurveleshit të Epërm. Flora e zonës harliset e çliruar prej dëmtimeve dhe shpyllëzimeve për toka bujqësore, prerjet për dru zjarri për furrat e bukës së kooperativave bujqësore, kullotjet pa kriter të bagëtive (dhive), etj. Bimësia më e përhapur janë shkurret e tipit mesdhetar (makja) të përbëra nga : sqina (xina), koçimarja, prralli, mërsina, shqopa, sfaka (bezga), thrumbja, sherbela, etj. Në lugina rritet plot elegancë ilqja dhe rrapi, ndërsa lart bredhi, pisha, bien në sy edhe kullotat e pasura verore. Nga kafshët e egra gjenden derri i egër, lepuri, dhelpra, kunadhja, dreri (sorkadhja), shqarthi (macja e egër), lundërza (vidra), etj. Nga shpendët haset kukumjaçka (bufi), qyqja, harabeli, gushëkuqi, shqiponja, etj. Në Kuç ka gjurmë nga epoka e hekurit, që lidhen me vendbanimin e fortifikuar të Kadafiqit. Kalaja e Kadafiqit datohet në fund të mijëvjeçarit të VI p.e.s. Këtu është zbuluar një reliev i njohur si “Emblema e Kadafiqit” me përmasa 40x30cm, ku dallohet një shqiponjë e gdhendur me girlanda gjethesh lisi. Shqiponja simbolizon figurën e Zeusit, kryezotit të perëndive të Olimpit, sofra e të cilëve padyshim që ndodhej aty. Emblema në fjalë lidhet me periudhën e stërlashtë të Dodonës. Nuk e di, por në buzë më erdhën vargjet e këngës: “Tafil Buz mustaqeziu / nga grykë e Kuçit arriu”. Pikërisht në Kuç merr jetë lumi i Shushicës, që përshkon gjithë luginën e ulët flishore duke ndërtuar anëve të tij tarraca lumore pjellore. Kuçi përshkohet nga shumë përrenj, aty gjenden 157 burime uji të pijshëm, si: Burimi i Lëpushës me prurje 550 litra në sekondë, ai i Rrepave të Buronjave me 300 litra në sekondë, ku mbarështohet trofta, etj. Në rajon hasim mineralin e fosforit, si në Fushë-Bardhë, Gusmar, malin e Kudhësit, etj, ndërsa në Fterrë ka shenja të mineraleve radioaktive, nafte e gazi, çka dëshmohet nga Uji i Qelbur në Cerëz të Kuçit. Kuçi përmendet nga kronikat e kohës për një tërmet shkatërrues që e goditi me 14 qershor 1893, për të cilin rapsodi këndoi: “Ra tërmeti e kiameti/ këtu rreh të dalë deti/ shtëpi në këmbë nuk mbeti/ shkëmbi nga Shkaga kërceu”. Në qendër të fshatit ngrihet hijerëndë monumenti i Zenel Gjolekës. Nazifi këndonte: “Gjolekë e Hodo Aliu / në dorë palla u ngriu”. Dreka qe e shijshme. Mish keci e dhallë që binte erë trëndelinë. I zoti i lokalit, një djalosh lab, më habiti me pasionin e tij, kishte ngritur një mini-muze arkeologjik dhe etnografik. Madje luajti për ne muzikë me këmborët, 24 këmborë që duart e tij të shkatha i kthyen në një sistem instrumentesh virtuozë që lëshonin tinguj mahnitës… Me afrimin e muzgut, një muzg i kaltër, morëm rrugën e bukur drejtë Himarës. Himara përmendet nga kohët e lashta, ku banorë ishin fisi Ilir i Kaonëve. Historia moderne fillon në 1199, kur në Himarë u vendos sundimi i Venedikasve. Himarioti Anton Linerosa, dëshmon Barletit, mori pjesë ne Kuvendin e Lezhës, ku dhe u vra në betejën e Torviollit me 40 trimat e tij më 1444. Me 12 korrik 1577 pleqtë e Himarës dërgojnë një letër për Papën, të cilën e dorëzoi doras në Romë Gjik Kola me Gjergj Katasin. Ata i dëshmonin Papës se janë arbër, se krenohen me Skënderbeun dhe kërkojnë që Evropa t’u japë armë për të luftuar kundër pushtuesve. Një letër e dytë iu dërgua Papës më 1581, ku i thonë se 50.000 luftëtarë shqiptar janë gati të ngrihen në kryengritje. Krahina ka një popullsi autoktone shqiptare, kryesisht me origjinë nga zona e Labërisë, e duke filluar nga shekulli i XV me të ardhur nga zona e Mirditës dhe Krujës. Kush, vallë, në mbarë globin mund të krenohet më shumë se Piluriotët, që mbiemrin e tyre “Mërkuri” e kanë si emërtim të njërit prej planetëve më të mëdhenj të sistemit diellor? Në Himarë shkolla e parë është hapur rreth vitit 1160-1161, çka u vazhdua më tej nga Onufër Kostandini, një shqiptar i shquar i kohës. Trimat e Himarës u bënë të famshëm nëpër botë. Gjeneral Mërkur Bue Shpata e kërkoi zulmën deri në Spanjë, ku Zhonopulli arriti gradën e Feldmarshallit. Konstandin Kasneci u bë gjeneral i shquar i Austro-Hungarise, Pano Vixhili konsull i Rusisë në Artë, etj. Të rinjtë duhet ta mësojnë që motra e heroit të revolucionit grek, shqiptarit suljot, Marko Boçari, ishte martuar në Dhërmi, ku lindi Jani Kocanin, komandant të shquar. Po ashtu Gjenerali Dhimitër Leka i Napolit qe himarjot. Këtij Jeronim De Rada i kushtoi kryeveprën “Milosao”. Një djalë nga Vunoi qe në truprojën e Bajronit në Mesolongj, dëshmon Eduard Liri…Të gjitha këto do të m’i përsëriste plot elegancë në Himarë, miku im i shquar, Lefter Çipa. Truppakët, me një bastun në dorë, dukej si një aed i lashtë, mpiksur në krenarinë e të qenit shqiptar, madje shqiptar prej Himarës. Na priti buzë detit, aty ku ndjehej dyfish i gjallë dhe njëqind fish shqiptar. Mbi shtëpinë e tij valëvitej hijerëndë flamuri kombëtar, dhe i kishte hije. Valëvitej mbi rezidencën e poetit. Atë flamur e kishte ngritur më ’97, mbi një shtizë të lartë, shumë lartë, ku shqiponjën e tij nuk mund ta preknin kthetrat e megalloidesë, gjaku i shprishur, që rridhte turbull nëpër venat e bollanove me kompani…Ikëm. Lamë pas Himarën. Nuk e di por më erdhën në gojë vargjet e anonimatit popullor që mbushte gruan me besim e shpresë tek e ardhmja, tek perëndimi, apo siç e quajmë sot integrimi: “Grua, bëna bukë e mos u tremb / nesër do të shkoj në Otrënt / do të bie tri okë ergjënt”.