Quantcast
Channel: Dielli | The Sun
Viewing all articles
Browse latest Browse all 364

ME FAMILJEN E SUKSESSHME DARDHARE NE FLORIDA

$
0
0

Nga ROZI THEOHARI, Boston/

Ajri me shijen e kripës së oqeanit, rëra e imët, e bardhë si miell, që të futet midis gishtërinjve, dielli që ngrihet ngadalë në kupë të qiellit…grataçelë të panumërta ndërtuar në vijë të drejtë mbi rërën e plazhit. Ju ecni si në ëndërr duke kundruar njerëzit që piqen në diell nga njëra anë dhe një vello të lehtë mjegulle të tejdukshme që ka mbuluar ndërtesat gjigante në anën tjetër. Kjo është Florida. Jo e gjitha. Përtej plazhit, para e pas lumit që ecën ngadalë paralel me oqeanin, merr frymë, pulson e gelon parajsa tropikale. Aty shpaloset magjishem toka bujare e portokajve, palmave, bananeve, leandrove dhe luleve të rralla tropikale. Nëpër qytetet turistike,në çdo qoshk do të gjesh informacion të pasur që ju fton të

vizitoni kudo në gadishull muzeumet e artit e të shkencës, salla koncertesh ndërkombëtare, motorsportet etj. “The Walt Disney World”— ëndrra jo vetëm e fëmijëve amerikanë, por edhe te të gjithë botës, ndodhet në jugperëndim të Orlandos. Lodrat e fëmijëve dhe aventurat i ndjekin edhe prindërit e tyre.

Lundrimi me cruise—për të shijuar bukuritë e natyrës ujore e bimore dhe peshqit e delfinët zbavitës. Vizita në “Kenedy Space Center”—prej nga nisen drejt hapësirës heronjtë austronautë.

Mikpritja e amerikanojugorëve—si traditë e vjetër e tyre nëpër familjet me shtepitë karakteristike jugore ose në “Bed &Breakfast,” ku në secilën mëson nga një histori të paharrueshme nga e kaluara… Kur udhëton nëpër Florida, çdo çast është një mbresë që të fiksohet në kujtesë përjetë…

NJE TAKIM I RASTIT

 Pushimet verore po i kaloja me të afërmit e mi në Daytona Beach, në veri të Floridës, gjatë ditëve të nxehta të korrikut.Përveç frekuentimit të plazhit bënim edhe shëtitje të gjata me makinë duke u ndalur aty këtu nëpër ekspozita, vende historike apo në dyqanet e vogla të shumëllojshme pranë rrugës së oqeanit.

Një ditë, mbesës sime të vogël iu tek për pica e këmbënguli aq shumë, sa ne u detyruam të ndaleshim në dyqanin e parë të picave që na doli. Dyqani ishte i freskët, i paster dhe seç vinte një erë e mirë, aromë e njohur byrekësh. Ktheva kokën me furi nga banaku dhe papritur dallova fytyrën e bashkëfshatarit tim Pandi Tollko. Ai dhe e shoqja e tij Elena, sa më panë, lëshuan thirrma habie e u ndodhen sakaq pranë nesh.

Ishte një takim me të vërtetë sa i gëzuar aq edhe kujtimsjellës pas kaq vitesh. Pandi futi në furrë picën të piqej dhe erdhi u ul në tryezë, ndërsa Elena po u shërbente klientëve. Biznesmeni shqiptaro-amerikan Pandi Tollko, një mesoburrë me një trup të hollë e muskuloz, ka filluar biznesin e restorantit që para më shumë se tridhjetë vjetësh. Ai së bashku me familjen e tij është pronari i dy picerive, njëra “Neighbor’s Pizza” në qytetin Holly Hill që drejtohet nga vajza e tij, Aleksandra dhe tjetra “Ormond House of Pizza” në Ormond Beach, gati një minutë larg oqeanit, që drejtohet nga djali i tij, Jani. Në të dyja dyqanet ka punëtorë dhe shpërndarës të picave nëpër banesat e klientëve. Dyqani I Ormondit është më i rënduar në shpërndarjen e picave dhe gatimeve të tjera të kuzhinës nëpër hotelet e plazhit për porositë nga turistët si dhe nga shkollat që ndodhen në atë mjedis. Ky dyqan që ka pothuajse madhësinë e një restoranti, frekuentohet vazhdimisht nga skuadrat sportive të të rinjve dhe nga familjet që festojnë ditëlindjet e fëmijëve. Familja Tollko është gjithashu pronare e gjashtë dyqaneve të mëdha që i ka lëshuar me qira.

Duke dëgjuar nga goja e Pandit për sukseset e tij në fushën e biznesit, më erdhi në kokë një mendim për të shkruar diçka rreth jetës së tij, gjë që e fillova të nesërmen, kur ata të dy, burrë e grua, më ftuan në vilën e tyre të mrekullueshme buzë

oqeanit. Ishte një shtëpi njëkatëshe, por e shtrirë në gjerësi, ashtu siç janë zakonisht ndërtesat e Floridës. Oborri me lule shumëngjyrëshe dhe bahçja me pishinën e madhe prapa hijeshonin së tepërmi mjediset e brendshme që ishin të

rrethuara me xhamllëk.

Ulemi në karriget pranë pishinës. Një shatërvan i vogël zhurmon ëmbël, diku, mbi kokat tona. Elena, një grua nikoqire me origjinë greke, na qeras me gurabije që i ka gatuar vetë dhe me pije freskuese. Të nxjerrësh bllokun e shënimeve në një cast të tillë e të bësh pyetje, sikur s’ka lezet, ndaj, ia hedh sytë here oborrit, herë çiftit që më rri përballë. Pandi ka një fytyrë të hequr, pakëz të zbehtë, me dy sy shprehës e të rrudhur pak në cepa, që duken gjithnjë sikur qeshin.

“Pamja jote më kujton fytyrën e babait tënd, xha Janit,” – I them.

Ndërsa gurët e shtruar poshtë këmbëve tona më kujtuan

oborrin e madh me plloça në shtëpinë e Pandit në Dardhë, kur

isha vajzë e vogël e luanim “petash” me motrat e tij. Siç mora

vesh më vonë, Pandi e kishte stisur vetë atë oborr për t’i ngjarë

sado pak shtëpisë prindërore në fshatin e lindjes.

“Të kujtohet edhe nëna ime?” – pyet ai pas një heshtjeje,

duke i mbajtur sytë përdhe.

“ Si jo!” – i them dhe i tregoj se si ne vajzat e fshatit dhe te

motrat festonim Ditën e Pranverës në shtëpinë e madhe të

Tollkos. Teto Sanoja (quhej Aleksandra) na priste me fjalë të

ëmbla, buzëqeshje e shakara e na gostiste me petulla të

shijshme e mollë starkinka.

“ Ishin mollët e bahçes sonë,” – thotë Pandi duke kujtuar e

duke shkuar me mendje e me zemër dekada të tëra mbrapa,

në fëmijërinë e tij, në Dardhën e dashur.

 

LOST & FOUND – I HUMBUR E I GJETUR

 

Ai ishte vetëm tetë vjeç kur mësoi të ngarkonte e të

shkarkonte mushkën me drutë e sjella nga pylli. Bashkë me

babanë ngriheshin që me natë e ngjitnin të përpjetën e malit.

Po me babanë mbrenin mushkën në parmendë e lëronin arat.

Pandi i vogël tërhiqte kafshën për kapistalli dhe ecte me kujdes

nëpër brazdat e hapura. Brazda që shtriheshin paralele para

tij si rrugë të çelura pa fund, që e ftonin të rrugëtonte drejt

tyre. Ai ëndërronte makinat, jo parmendat e rënda prej druri

që e lodhnin babanë. Vite më vonë dëshira e tij do të realizohej

kur u regjistrua në politeknikumin “7 Nëntori” në Tiranë. Çdo

verë kthehej në shtëpi i gëzuar dhe ndihmonte me tërë energjitë

e tij familjen në punët bujqësore. Në bahçen e mollëve kishte

ndërtuar një kolibe të vogël, ku rrinte me orë të tëra pas punës,

çlodhej e thurte plane për t’u shkolluar më tej…në të ardhmen.

Me mbarimin e shkollës u emërua mekanik në ofiçinën e qytetit

të Korçës ku punoi vetëm gjashtë muaj. “Ishin ditët me bereqet

të jetës sime që sapo kishte filluar, – thotë Pandi, – isha i pavarur

nga familja, por njëkohësisht e ndihmoja me kursimet që

mblidhja dhe ndjehesha i lumtur.”

Por kishte dalë “orientimi i ri”:…djemtë e fshatarëve që

kishin mbaruar shkollat e mesme profesionale, duhet të

ktheheshin detyrimisht në fshatrat e tyre. Pandi u pushua nga

puna e u dërgua në Dardhë. Ditët e para u mbyll në kasollen e

tij e nuk donte të takonte njeri. Shok me të u bë edhe i kushëriri,

me të njëjtat probleme. Kthesa e papritur e fatit kishte lënduar

pamëshirshëm ndjenjat e tyre…, kishte këputur në mes ëndrrat.

Ishte vera e vitit 1964. Netëve pa gjumë, në koliben e vogël,

larg kontrollit të prindërve, me kokëkrisjen e tyre djaloshare

prej nëntëmbëdhjetë – vjeçari, ata morën një vendim të

shpejtë…Fshati Dardhë ndodhet pranë kufirit me Greqinë.

“A nuk hidhemi “andej?” – propozoi Pandi.

“Me gjithë mend e ke?” – iu përgjigj kushëriri.

“ Toke dorën këtu, — i thotë Pandi.—Besa besë e mos i

trego kurrkujt!”

Ata morën fshehurazi nga një torbë me plaçka e ushqime…,

pritën sa të vinte nata dhe u nisën në drejtim të kufirit midis

fshatit Arëzë e Nikolicë. Ishte një natë e errët me shi të dendur

dhe lumi që rridhte pranë kufirit, ishte fryrë nga uji i turbullt,

duke u bërë tepër i rrezikshëm për t’u kaluar. Të dy e hodhën

vaun duke notuar e duke ndihmuar njëri- tjetrin e dolën në buzë

të një mali. “Ecnim, – thotë Pandi,- këmbadorazi duke shpërndarë

degët e thata të pishave për të mos shkaktuar zhurmë.”

Kur u bindën se e kishin kaluar kufirin, ia dhanë vrapit

duke kapërcyer çuka, selishte e kodra, të lagur deri në palcë, të

uritur e të baltosur, përveç frikës e llahtares që i ndiqte nga

prapa si hije e zezë. “Ndaj të gdhirë, – vazhdon Pandi, – nga

maja e malit dalluam poshtë një fshat gjysmë të shkatërruar,

me çatitë të mbuluara me plloça guri ashtu si shtëpitë e fshatit

tonë. Nga një oxhak po dilte tym. U drejtuam tek ajo shtëpi,

ku na priti një plakë që fliste shqip. “Ku janë të tjerët, vetëm ju

jeni?” – pyeti ajo, e mësuar nga këto lloj kalimesh…”

Në kohën kur djemtë po ndërronin rrobat e lagura e po

pinin çajin e ngrohtë në fshatin grek Janoven, babai i Pandit,

xha Jani, në Dardhë, hyri në kasollen mollëve t’i thoshte të

birit “mirëmëngjes.” Por kasollja ishte bosh. Në murin me

gëlqere Pandi kishte shkruar: “Baba, na falni që po shkojmë…,

nuk dimë a do të na zënë…Perëndia me ne…”

Këtu Pandi e ndërpret bisedën dhe vështron orën. Është

koha për ata të dy të shkojnë në dyqanin e picerisë. Pas tyre

edhe unë. Jam kurioze të ndjek aventurën e dy djelmoshave, e

cila, vite me radhë, u kthye në legjendë për të rinjtë e fshatrave

të Devollit dhe Korçës.

Duke trazuar salcën e picave me një luge të gjatë druri, Pandi

vijon: “Plaka që dinte shqip, na tha: —Do të vijnë burrat të

ngarkojnë me mushka lesh dhie e shqerrkash…Do të shkoni edhe

ju me ta.”—U nisëm e arritëm në Kostur, u dorëzuam në policinë

greke. Gjënë e parë, ata na konsideruan si spiunë dhe na izoluan

për dyzet ditë, duke na mbajtur vazhdimisht nën tensionin e

pyetjeve të panumërta…Ne mundoheshim t’i bindnim se ikëm

me qëllim që të shkojmë në Amerikë, ku kemi dy tetot tona…Ne

donim të vazhdonim shkollën ose, të paktën, të punonim në

zanatin që kishim mësuar…Ne nuk e dinim se tezja e kushëririt

tim ato ditë kishte ardhur si turiste nga Amerika në Dardhë dhe

autoritetet shqiptare e kishin përzënë…”

 

Dy djemte e rinj kaluan një kalvar mundimesh, rropatjesh

e burokracish duke kaluar nga një kamp në tjetrin në Korfuz,

Selanik, Janinë, Athinë, për gati një vit e gjysmë. Së fundi, të

ndihmuar nga shqiptarë vendës që punonin në zyra me rëndësi,

arritën të siguronin dokumentet për të ardhur në Amerikë.

“Kur u nisa nga Pireu, – thotë Pandi, – për herë të parë në

ata muaj ankthi e frike e ndjeva veten të lirë, me krahë, mora

frymë thellë e falenderova Zotin që më kishte ndihmuar.

Udhëtimi ishte i gjatë, Greqi-Itali-Kanada-Nju-Jork-Boston. Isha

i ri, deti më dukej fushë me lule, ndërsa Amerika, parajsa që

më priste krahëhapur. Por nuk ishte plotësisht ashtu. Sapo

mbërrita në qytetin Newtoun të shtetit Massachusetts dhe trokita

në derën e teto Ollgës, e vetmja shpresë që më kishte mbetur,

tetoja më priti me këmbët e para e gati sa nuk ulëriti: “ E solle

kokën? Më mirë të mos kishe ardhur!…Ti u bëre sebep që të

mos shkoj kurrë në Shqipëri!…”

Atë natë pa gjumë ndoshta u plaka dhjetë vjet. Jeta ime më

dilte lakuriq para syve: pa punë, pa strehë, pa një qindarkë në

xhep. Sytë më lotonin kur mendoja se ç’e keqe duhej t’i kishte

zënë babanë, nënën e motrat për shkakun tim. Në ç’humbëtirë,

vallë, i kishin degdisur? A ishin të gjithë gjallë e me shëndet?

Dhe mora një premtim, një premtim që s’do ta trettë as

dheu…Do të punoja kudo, qoftë argat, qoftë hamall…vetëm

të fitoja ç’të fitoja sa për të ngritur familjen time e më pas, të

ndihmoja edhe ata në Shqipëri. Ëndrrat që kisha thurur për të

vazhduar universitetin, u tretën që me rrezet e para të diellit të

ditës pasardhëse. Fatmirësisht, anëtarët e tjerë të familjes së

teto Ollgës më pritën me njerëzi e u përpoqën të më ndihmonin

sa mundnin.”

 

Bie telefoni, porositën tetë pica nga turistët e hotelit

pranë.Pandi ma tund dorën nga banaku se s’mund të

vazhdojmë më bisedën. Pasi i poqi picat i ngarkoi në minivan

dhe po bëhej gati të nisej.

“Po ti ke punëtor – deliver,”- i them.

“Ka ikur në shpërndarje, – thotë ai,- nuk mund t’i lemë

klientët të presin gjatë.”

 

HAPAT E PARE

 

“Pa hë, – thotë Elena, – se mund të të ndihmoj unë tani. Ku

keni mbetur?”

“Te dita e parë në Amerikë, – them unë, – duke pare me

mosbesim tek bashkëshortja joshqiptare e Pandit.

“Dhëndri i teto Ollgës, – thotë ajo, – e ndihmoi Pandin të

punonte në një fabrikë për prodhimin e kompjuterëve. Pandi

kishte njohuri të mira në fushën e mekanikës, kështu që e

përvetësoi zanatin shpejt. Punoi aty pesë vjet, ndërsa natën

vazhdonte shkollën për të mësuar gjuhën angleze.”

Elena shtron e shtrin brumin e picave nëpër tava me

madhësi të ndryshme, duke i vënë rresht njëra mbi tjetrën. Në

të njëjtën kohë ndjek edhe lëvizjen e brumatriçes, u përgjigjet

telefonave ose plotëson kërkesat e klientëve të shumtë. Sot vajza

e tyre, Aleksandra, nuk punon, kështu që ata të dy duhet ta

përballojnë punën vetë. Duke i bashkuar copat e shkëputura

të bisedës së asaj gruaje të palodhur, mësova se Pandi, u

punësua në një kompani tjetër kompjuterësh, sepse aty fitonte

më shumë. Bosi i dytë e transferoi në Detroit e më vonë në

Cikago, por muaj më vonë kompania falimentoi e Pandi mbeti

pa punë. Pas përpjekjesh të dështuara për të gjetur punë të re,

ai filloi si kuzhinier në një mëngjesore dhe pas- dite e natën

punonte në një restorant francez. Çdo ditë katërmbëdhjetë orë

në punën e vështirë e të lodhshme të restoranteve. Atëherë

edhe u njoh e u fejua me Elenën, e cila punonte rrobaqepëse

në një fabrikë manifakture. Kunati, i vëllai i Elenës, ishte pronar

i një picerie dhe ai i propozoi Pandit të bëheshin bashkëpronarë

duke i paguar pjesërisht gjysmën e vlerës së dyqanit. Çifti i ri

Tollko, sapo u martua hyri në borxh e filloi ca nga ca të futet në

biznesin e picave. Pas një viti e shlyen borxhin e filluan t’i fitonin

paratë për veten e tyre. Hapën një piceri të re, pronë të tyre, ku

punonin edhe 2-3 punëtorë. Pasi blenë edhe një shtëpi, u lindën

njëri pas tjetrit dy fëmijë, Aleksandra e Jani.

 

Ishte viti 1981.Pas disa vitesh pune të pandërprerë e lodhjeje,

çifti Tollko bashkë me fëmijët udhëtuan drejt Floridës për

pushime. Por pushime u thënçin, sepse Pandi, me nuhatjen që

kishte për tregti, kuptoi se ç’do të thotë të kesh një biznes

restoranti në Floridën turistike. Ai shiti dyqanin dhe shtëpinë në

Boston dhe u vendos në Ormond Beach ku bleu një shtëpi dhe

hapi një piceri në Daytona Beach. Më vonë bleu edhe një piceri

tjetër në Holly Hill ku bleu edhe gjashtë dyqanet e tjera të

ndertesës e i lëshoi me qira. Gjatë aktivitetit, Tollkot shitën e blenë

disa herë piceri e shtëpi dhe kjo rrugë u solli fitime të mëdha.

 

Kur u kthye Pandi në dyqan, Elena kishte pjekur edhe katër

pica të tjera që prisnin për deliver. Ishte 4 Korrik, ora pesë

pasdite. Kudo në Amerikë festohej. Përpara shtëpise- muze të

pasanikut Rokfeler në buzë të lumit Halifax në Daytona Beach,

ku ishin mbledhur një mizeri njerëzish, po shpërndaheshin

flamurë të vegjël amerikanë… Ndërsa familja Tollko

shpërndante gatimet e shijshme të kuzhinës së saj për të

kënaqur klientët e rregullt të dyqanit në këtë dite feste.

 

FAMILJA

 

“Në bahçen time kishte bërë folenë një çift pëllumbash, -

tregon Pandi. – Kur vezët çelën zogjtë, prindërit i mësonin ata

të fluturonin dhe të ktheheshin në fole. Një ditë nuk u kthyen.

Në Amerikë fëmijët u ngjajnë zogjve. Kur mësojnë të jetojnë

më vete, fillojnë jetë të re.”

Këtë qëllim i vuri vetes çifti Tollko.Qysh në vogëli Jani dhe

Aleksandra u mësuan me ndjenjën e punës, seriozitetit dhe

përgjegjësisë. Pasi ktheheshin nga shkolla, përgatitnin mësimet

pasditeve e punonin në dyqan bashkë me prindërit.Ata u rritën

duke përdredhur me duart e tyre të vogla brumin, i jepnin

formë e luanin me të si të ishte lodër.

“Një ditë, – thotë Pandi, – u vonova të shkoj në bankë të

derdh paratë dhe i prura ato në shtëpi. Kur i panë fëmijët

vandakët me dollarë mbi tryezë u avitën aty e filluan t’i

numëronin.” E shikoni? – u thashë fëmijëve, puna dhe vetëm

puna sjell para të madhe. Një ditë edhe ju do të fitoni kështu

po punuat si unë e mami. Por nuk mjafton vetëm puna, i

këshilloi Pandi fëmijët, duhet të jeni edhe të

ndershëm…përndryshe s’kini për të bërë kurrë prokopi.”

Të rritur e të edukuar në një mjedis të tillë familjar, sot Jani

e Aleksandra drejtojnë secili më vete biznesin e tyre, i cili u

sjell fitime çdo ditë. Ata kanë punësuar disa punëtorë të cilët

vetëm sa ndihmojnë, sepse aktivitetin kryesor të dyqanit e

kryejnë vetë.

“O Zot, Jani punon si një zhongler me brumin,”- thotë një

djalë i ri amerikan që punon në dyqan, – ne nuk mund ta arrijmë

kurrë atë!”

Jo vetëm punëtore e nikoqirë, por fëmijët Tollko janë edhe

të dashur, buzëqeshur e mikpritës si jugorët. Prandaj dhe

klientela rritet.

“ Ne vijmë këtu çdo ditë, jo vetëm për të ngrënë racionin, -

thotë një plak i moshuar, – ne vijmë këtu për të harruar vetminë.

Këtu ndjehemi si në shtëpinë tonë. – Hello, Pit!—i thërret ai

Pandit, – ku ke qenë që s’të kemi parë këto ditë?”

Pandi dhe Elena tani janë mysafirë te fëmijët. Ata shkojnë

herë te njëri, herë te tjetri për t’i ndihmuar e për t’i lehtësuar

sado pak në punët e lodhshme e për t’u dhënë mundësinë të

çlodhen pak.

 

RECETA E PICES — SEKRET I FAMILJES

 

Me këtë titull është botuar një artikull në gazetën lokale të

Daytona Beach për picerin e Janit. Sigurisht, familja Tollko, me

një përvojë tridhjetëvjeçare, tani ka krijuar recetat e veta duke

filluar që nga mënyra e përgatitjes së brumit, gatimit disa stilesh

të salcës, kombinimit të disa lloje djathëra dhe teknikës së

pjekjes. Në menunë e varur në mur do të gjesh një listë të pasur

asortimentesh: disa lloje gatimi picash, si pica e bardhë, pica

me mish, me salçiçe, pepperoni, ullinj, kërpudha etj. Janë të

pëlqyeshme edhe byrekët me spinaq ose me domate e qepë.

Çdo ditë përgatiten rreth gjashtëmbëdhjetë lloje subs si dhe

darka me lazanja, spageti me qofte e salcë, mish pule, viçi etj.

Në fund serviret bakllavaja karakteristike shqiptare dhe

cizkeku vendali. Aleksandra tregon se dyqani i saj dhe ai i të

vëllait në një javë shesin mesatarisht njëmijë pica, njëmijë

sanduiçë, njëqind pjata spageti, pesëdhjetë lazanja, njëmijë

subs, treqind sallata etj.

“Konsumatori është më i zgjuar se i zoti i dyqanit,”- thotë

Jani duke buzëqeshur. – Këtë na e ka mësuar babai. Prandaj

përpiqemi të gatuajmë ushqim me cilësi të lartë dhe porcion të

madh, që të ngop syrin dhe stomakun. Gjithashtu përdorim

lloj- lloj erëzash që nuk i kanë dyqanet e tjera. Shija e ushqimit

tonë i mban klientët tanë të përhershëm.”

Një zile e vogël fshati e varur te dera tringëllin sapo një

klient futet brenda. “Mirë-se-ardhët, – përshëndet Jani buzagas

dhe i flet miqësisht, – nëm porosinë, zgjidh një pije të ftohtë

nga frigoriferi dhe pjesa tjetër e punës na mbetet neve…”

 

VENDLINDJA

 

Edhe kur mbushte xhepin me dollarë ose kur i përkëdhelte

fëmijët e tij, Pandin e ndiqte gjithnjë nga prapa kujtimi i atdheut

të largët, fati i prindërve, motrave dhe farefisit. Me ndjenjen e

fajit të djalit plangprishës mundohej të shkruante letra prekëse

e malli për prindërit në Dardhë të cilat disa herë nuk u binin

në dorë. Për fat, njerëzit e tij nuk pësuan gjë pas arratisjes,

sepse ishin familje dëshmori.

Pandi gjithnjë nderoi njerëzit e gjakut të tij dhe shprehu

respekt për prindërit duke u vënë emrin e tyre, Jani e

Aleksandra, fëmijëve gjysmë shqiptarë. Atij i mbeti peng që

nuk i pa më kurrë prindërit gjallë. Ishte një nga shkaqet për të

cilin ai udhëtoi drejt vendlindjes pasi kishte fituar demokracia

në Shqipëri. Bashkëfshatarët e pritën me dhembshuri prindërore

duke e kthyer në festë ditën e mbërritjes së tij. Pasi vizitoi varret,

u çmall me motrat e me familjet e tyre të reja që kishin ngritur,

Pandi iu përvesh meremetimit të shtëpisë së vjetër. Së fundi ai

plotësoi një dëshirë që e mbante peng shpirtin e tij prej kohësh.

Babanë, që kishte vdekur në Korçë në kohë dimri, e solli në

Dardhë dhe e varrosi pranë nënës. Ishte shërbimi i fundit që ai

kryente për të nderuar e respektuar prindërit.

 

Në fillim të viteve 90-të në zonën e Bostonit filluan të vinin

familjet e para dardhare. Ishte një ditë vere e vitit’ 94, kur Pandi

dhe Elena mbërritën nga Florida në Massachusetts dhe shtruan

një darkë mirëseardhjeje në “Pier 4”, në restorantin e famshëm

të Anton Athanasit në Boston. U ftuan të gjithë dardharët nga

rrethinat e Bostonit. Mbaj mend, isha edhe unë me burrin. I

ftuar nderi ishte bashkëfshatari ynë Teodor Laço, që u ndodh

rastësisht në Amerikë. Pandi, me sy të përlotur, i malluar e i

gëzuar, por edhe i pikëlluar, kishte marrë pamjen e atij djaloshit

ëndërrimtar që vraponte dikur rrugicave me kalldrëm të

Dardhës. Bisedoi shtruar me të sapoardhurit në kontinentin e

ri, duke u munduar të ndihmonte me këshillat dhe përvojën e

tij. Kur mbaroi dreka e u përshëndetëm, çifti Tollko na ftoi të

gjithë ta vizitonim në shtëpinë e tij në Florida. “Shtëpia ime

është e hapur për të gjithë,”- tha Pandi. “Po më parë do të vish

ti tek ne, thanë dardharët e Usterit dhe e ftuan po atë natë në

festën e ditëlindjes së mbesës së vogël të familjes Konda. Pandi

i tha Elenës me shaka: “Ti shko te vëllezërit e tu grekë, unë po

shkoj te vëllezërit e mi dardharë…”

 

Nuk do të harrohet martesa e Aleksandrës në Florida.

Familja Tollko ftoi tërë dardharët e Amerikës duke u paguar

një pjesë të shpenzimeve. “Dëshiroj që në këtë gëzim të madh

të jem i rrethuar nga dardharët, të cilët do të zëvendësojnë

mungesën e të afërmve të mi,”- u shkruante ai

bashkëfshatarëve. Dhe ata shkuan të gjithë. Dardhari Jani

Melka tregon: “Ishte e shtuna e dasmës dhe Pandi punonte

akoma në dyqan. Shtëpia e tij gjëmonte nga zërat e dasmorëve

dhe të ftuarve. Pandi më telefonon e më thotë: “Jani, nuk mund

ta le dot dyqanin, kam shumë punë. Ty të kam caktuar

qilarxhinë e dasmës. Zgjidh llojet e verërave që pëlqejnë dhe

shtroje muhabetin deri sa të vij unë.” Kënga dhe vallja dardhare

vazhduan deri në mëngjes.

 

…Ulur në sallon me familjen Tollko kalojmë nëpër duar disa

fotografi nga dasma ose ditë festash familjare.

“Ja këtu, – thotë Aleksandra, – kam dalë në garën për

peshkim me varka. Çdo vit dyzet varka me vajza e gra të reja

dalin në oqean për peshkim.Unë fitova vendin e tretë me

peshkun tridhjetë e dy paund që kapa.”

Në një foto të vjetër bardhë e zi kanë pozuar xha Jani, teto

Sanoja, Pandi dhe motrat, në oborrin e shtëpisë së fshatit.

“Ke ndonjë plan për të shkuar në Shqipëri?” e pyes Pandin.

“ Po…vitin që vjen…Do të shkoj në Dardhë e do të

investoj…Do të bëj një dhuratë për dardharët, ndonjë ujësjellës

apo çfarë tjetër kanë nevojë.”

“Ndoshta i shoqëruar edhe nga fëmijet kësaj radhe,”- i

propozoj unë.

“Po, po…”- tund kokën ai dhe vështron në drejtim të tyre.

“Dini ndonjë fjalë shqip?”- e pyes Janin.

“Di…”qorr.” Kur isha i vogël e humbja ndonjë send e s’e

gjeja babai më tallte kështu. Por unë jam tamam “qorr”

kundrejt gjuhës shqipe e vendlindjes së babait. Nuk dua të

mbetem kështu,”- thotë ai serioz.

Kur e pyes Aleksandrën, ajo më thotë se kupton diçka me

të dëgjuar, por nuk di asnjë fjalë shqip.

“Ja ku po të mësoj unë një, – i them. – Ndersa yt vëlla di

fjalën “qorr”, ti mësoje fjalën “sy.” Shko shikoje Shqipërinë.

Ndoshta aty nuk ka gjëra kaq të bukura sa në Florida, por aty

do të gjesh një gjë të rrallë e të vyer që s’e gjen dot në Amerikë,

do të shohësh shtëpinë ku ka jetuar dhe ka gatuar byrekë e

lakrorë gjyshja jote Aleksandra, së cilës i ke trashëguar emrin…

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 364

Trending Articles



<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>