Quantcast
Channel: Dielli | The Sun
Viewing all articles
Browse latest Browse all 364

Kosova feston Krishtlidjen …

$
0
0

…me mesazhet për kombin me të ardhme e bashkëjetesën ndërfetare/
Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Festa e Krishtlindjes në Kosovë, në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë/
-Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji: Morëm lajmin e gëzueshëm për të gjithë popullin tonë se Papa Fançesku ka miratuar mrekullinë e dytë dhe kështu i ka hapur rrugë shenjtërimit të Nënës Terezë. Kjo është dhurata më e mirë që na dhurohet për këto Krishtlindje/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 25 Dhjetor 2015/Kombi me të ardhme, Kosova e bashkëjetesës ndërfetare janë theksuar në mesazhin “Drita e vërtetë që shndrit çdo njeri, erdhi mbi tokë” të Festës së Krishtlindjes, ku Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji shpreh gëzimin se Papa Françesku i ka hapur rrugë shenjtërimit të shqiptares Nënë Tereza.
“Morëm lajmin e gëzueshëm për të gjithë popullin tonë se Papa Fançesku ka miratuar mrekullinë e dytë dhe kështu i ka hapur rrugë shenjtërimit të Nënës Terezë. Kjo është dhurata më e mirë që na dhurohet për këto Krishtlindje”, shprehet Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës.
Imzot Gjergji në mesazhin e tij ka theksuar edhe se, “është e domosdoshme të fillojmë të arsyetojmë e të reflektojmë të gjithë, për të bërë një kthim rrënjësor drejt së vërtetës, bashkëndërtimit dhe dialogut qytetërues”.
“Pa dialog, pa mirëkuptim dhe pa pajtim, nuk ka të ardhme për askënd në këtë vend; pa bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, pa respektim të parimeve dhe premtimeve të dhëna, Kosova nuk mund të ketë të ardhme; pa ruajtjen e bashkëjetesës ndërfetare dhe pa mbrojtjen e kulturës qytetëruese të të parëve tanë, s’ka të ardhme kombi në përgjithësi”, është shprehur Ipeshkvi i Kosovës.
Kosova po feston gëzuar Krishtlindjen e 17-të vend i lirë, të 8-tën shtet i pavarur, me vlerë tradicionale themeltare tolerancën dhe mirëkuptimin ndërfetar, të ndërtuar e të kultivuar ndër shekuj, të theksuar edhe sot në urimet e drejtuesve më të lartë institucionalë, politikë e fetarë.
E gjithmonëshme kjo vlerë u manifestua edhe në natën e lindjes së Jezu Krishtit, në meshat në të gjitha kishat katolike në Kosovë tradicionalisht të mbushura me besimtarë katolikë dhe qytetarë të besimeve të tjera, në atmosferën e urimeve e festave të fundvitit.
Në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë meshën e natës së Krishtilindjes e drejtoi Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.
Para meshës, u mbajt Koncerti Klasik i Krishtlindjeve me qëllime humanitare. Pjesë e festimeve është edhe pritja solemne me rastin e Krishtlindjes në Rezidencën e Ipeshkvisë së Kosovës, pranë Katedrales.
Tradicionlisht, në Kosovë, festimet për Krishtlindjen nisin në mëngjes dhe vazhdojnë në mbrëmje nëpër familje me ritet e Buzmit bujar, një feste të lashtë iliro-shqiptare që ruhet ende në shumë vise të vendit.
Mesha e Krishtlindjes mbahet sot në Kishën e Shën Ndout në Ulpianë – Prishtinë dhe në kisha të tjera katolike në Kosovë.
Festën e Krishtlindjes e kanë uruar liderët institucionalë, politikë e fetarë të Kosovës.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka uruar ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji dhe të gjithë besimtarët katolikë, me rastin e Festës së Krishtlindjes, simbol i paqes, solidaritetit, dashurisë dhe mirëkuptimit midis njerëzve.
“Në këtë Krishtlindje, urimet më të mira dëshiroj t’ua përcjell edhe ambasadorëve, përfaqësuesve diplomatikë, komandantit dhe ushtarëve të KFOR-it, si dhe të gjithë përfaqësuesve të tjerë ndërkombëtarë, që do të festojnë në vendin tonë”, shprehet ajo.
Edhe në këtë ditë kremte, vijon Jahjaga, të ndalemi e të reflektojmë për punën tonë dhe obligimet që kemi ndaj njëri-tjetrit, ndaj familjes, ndaj miqve dhe ndaj gjithë shoqërisë.
“Në këtë ditë Krishtlindjeje, me respekt të veçantë, të bëjmë homazhe dhe të nderojmë të gjithë ata që u angazhuan dhe sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, e që sot nuk janë në mesin tonë”, shprehet Presidentja e Republikës.
Duke përcjell urimet më të përzemërta për festën e shenjtë, kryeministri Isa Mustafa, ka theksuar se Krishtlindja përfaqëson paqen, mirëkuptimin, mirësinë, mëshirën, shpresën dhe zemërgjerësinë.
“Krishtlindja sivjet, ka një simbolikë të veçantë për popullin e Kosovës, pasi që shënon miratimin e Papa Françeskut për t’i hapur rrugë shenjtërimit të Nënës Terezë”, është shprehur kryeministri Mustafa.
Ai u ka uruar Festën e Krishtlindjes përfaqësuesve të misioneve ndërkombëtare në Kosovë, të cilët po japin kontribut të çmuar në ecjen përpara të shtetit të Kosovës.
Kryeministri Isa Mustafa, në emër të qeverisë theksoi respektin më të thellë për Kishën Katolike dhe komunitetet e tjera fetare, për rolin e tyre të pazëvendësueshëm në fuqizimin e vlerave të bashkëjetesës, të tolerancës dhe për të mirën e përbashkët të popullit të Kosovës.
Me rastin e Festës së Krishtlindjes, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka zhvilluar vizita nëpër qytete e fshatra, duke takuar besimtarë dhe përfaqësues të fesë katolike.
“Krishtlindja është festë madhështore, që simbolizon lajmin e mirë për njerëzimin, lindjen e shpëtimtarit. Krishtlindja është pjesë e identitetit tonë. Simbol i triumfit të paqes mbi dhunën, të dashurisë mbi urrejtjen, të shpresës mbi dëshpërimin”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Kreu i Kuvendit të Kosovës u uroi edhe Vitin e Ri, me dëshirën që 2016-ta të jetë vit i prosperitetit dhe sukseseve të reja për të gjithë qytetarët e vendit.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 364

Trending Articles



<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>