Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, përgatitet për festat e fundvitit – mbërrin bredhi në Sheshin Skënderbeu për t’u ngritur/
-Ngjarja e vitit 2015 e Kosovës: Marrëveshja për Stabilizim Asociim me Bashkimit Evropian/
-Në vitin 2016 Kosova dhe Shqipëria inaugurojnë “autostradën” energjetike – linjën interkonektive 400 kV/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 11 Dhjetor 2015/ Kosova përgatitet për festën e Vitit të Ri 2016, të 17-tin në vitet e lirisë e të 8-tin në vitet e pavarësisë tradicionalisht në sheshe qytetesh edhe me koncerte e fishekzjarre.
Për Kosovën Viti i Ri pritet të sjellë liberalizimin e vizave, ndërsa ngjarja më e rëndësishme e vitit 2015, madje edhe që nga shpallja e pavarësisë në 17 shkurtin historik 2008, vlerësohet Marrëveshja për Stabilizim Asociim e nënshkruar në 27 tetor në Strasburg me Bashkimit Evropian, e cila krijon për herë të parë marrëdhënie kontraktuale.
Një nga ngjarjet e rëndësishme për Kosovën e Shqipërinë në vitin 2016 është paralajmëruar të jetë inaugurimi i “autostradës” energjetike – linjës interkonektive 400 kV, ndërtimi i së cilës në pjesën kosovare përfundon para festës së Vitit të Ri.
Në Prishtinë ka nisur puna e dekorimeve për festat e fundvitit, bredhat me stoli ngrihen në tre sheshet e qendrës, Skënderbeu , Nëna Terezë dhe Zahir Pajaziti, si dhe në “porta hyrëse” të kryeqytetit të Kosovës. Pjesë e organizimeve është edhe “Tregu i Fundvitit” në shesh.
Në vitin e madh të lirisë së Kosovës 1999, në mbrëmjen e 31 dhjetorit mëse 100 mijë njerëz për herë të parë të lirë ishin në sheshet kryesore të Prishtinës në pritjen e Vitit të Ri 2000. Festime të mëdha në sheshe kishte edhe në qytetet e tjera ksovare.
“Në robëri pritet veç festa e lirisë”, ishin raportimet që kam bërë nga Kosova në fundvitet e para 1999-ës – vitit historik të lirisë, në vitet e shtetrrethimeve ushtarako-policore, luftës, masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve.