Quantcast
Channel: Dielli | The Sun
Viewing all articles
Browse latest Browse all 364

Kosovë- Himni i Nënës Terezë nga Inva Mula përmbyllë festën

$
0
0

-Kuvendi i Kosovës do ta shpallë 5 Shtatorin e Nënës Terezë ditë të humanizmit dhe bamirësisë/Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 6 Shtator 2015/ Festa e Nënë Terezës në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, është përmbyllur mbrëmë me koncert në Katedralen me emrin e shenjtëreshës shqiptare, ku në mesditë u zhvillua mesha solemne. Himni i Nënës Terezë performuar nga solistja e njohur shqiptare me famë botërore, Inva Mula, përmbylli festimet.

Në Koncertin e  Himnit të Nënë Terezës me vepra muzikore të kompozitorëve të njohur shqiptarë dhe botërorë dhe recitime të aktorëve të shquar ishin edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, zëvendëskryeministri i Republikës së Maqedonisë Musa Xhaferi, veprimtari dhe simboli i rezistencës kosovare Adem Demaçi, deputetë dhe shumë personalitete tjera të jetës politike, kulturore e fetare.

 Fillimisht, të pranishmit i përshëndeti Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ndërsa kryetari i Kuvendit, Veseli, në një fjalë rasti vlerësoi kontributin dhe shërbimin që Nënë Tereza i bëri atdheut, nëpërmjet misionit të saj fisnik të bamirësisë e të përkujdesjes njerëzore, duke u bërë kështu vlerë krenarie për shqiptarët në të gjitha anët e globit.  
Kreu i Kuvendit kosovar tha se tre vite më parë, kur OKB-ja vendosi që duhej të kishte një datë dhe një emër që do të simbolizonte përkushtimin global për bamirësi dhe humanizëm, askush nuk kishte dilema se cila do të ishte kjo datë dhe se cili do të ishte ky emër.
“E lindur dhe e rritur në një kohë të trazuar, vasha e ndrojtur e bojaxhinjve të Prizrenit, në një ditë gushti të vitit 1928, shumë afër nga këtu, në Letnicën e Vitisë, mori vendimin jetësor për t’u nisur në rrugën e madhe të bamirësisë dhe humanizmit…Shpirtin e kësaj toke e mori me vete, për ta kthyer në një lëvizje botërore të bamirësisë, solidaritetit, paqes dhe dashurisë njerëzore”, tha kryetari Veseli, duke theksuar se Nënë Tereza, me veprën e saj jetësore i tregoi gjithë botës se vinte nga një popull i vogël, por me zemër të madhe, duke i bërë kështu një dhuratë të çmuar atdheut të saj.
“Sonte jemi mbledhur këtu në këtë tempull të respektuar të zotit, që së bashku të dëgjojmë tingujt e himnit të saj. Nga këtu, nga toka e saj, nga Prishtina, këta tinguj do të dëgjohen në të gjithë botën, për të dhënë përsëri mesazhin për të cilin veproi gjithë jetën e saj, bija jonë e madhe, Nënë Tereza. Mesazhin e paqes që triumfon mbi urrejtjen dhe shkatërrimin, mesazhin e solidaritetit që triumfon mbi indiferencën dhe mospërfilljen, mesazhin e dashurisë njerëzore që triumfon mbi dhunën, mesazhin se jeta jonë merr kuptim vetëm duke punuar me besimin se gjithmonë është e mundur një botë më e mirë, më e drejtë dhe më paqësore. Urime e gëzuar të gjithë Himni i të Shenjtës Nënë Tereza”, u shpreh Veseli.
Kryeparlamentari kosovar tha se Kuvendi i Kosovës e konsideron Nënën Terezë të shenjtë, sepse ajo e tillë ka qenë gjatë gjithë jetës së saj. Ai shprehu besimin se Kuvendi shumë shpejt do ta shpallë 5 Shtatorin e Nënës Terezë ditë të humanizmit dhe bamirësisë.
Në  Katedrale, në meshën e Festës të së Lumes Nënë Tereza, Imzot Dodë Gjergji, Ipeshëv i Kosovës, gjatë predikimit/homelisë  u shpreh se, “gjithë jeta e saj ka qenë një Himn dashurie për Zotin dhe një  altar sakrifice për vëllain e motrën njeri”. 
“Ja se çfarë bëri Zoti për ne: Gjithë dashurinë që njerëzit tanë e kanë mohuar në histori, Zoti e ka vu në zemrën e Gonxhes. Dhe kjo dashuri e derdhur në një zemër bujare, të një vajze Shqiptare, e ka mahnitë gjithë njerëzimin. Fryti i kësaj dashurie ka shëruar plagë, të trupit e të shpirtit, të shumë njerëzve mbi tokë. Kësaj bije të popullit tonë, kësaj Nëne të njerëzimit dhe këtij engjëlli të qiellit, ne i kemi ngritë këtë Katedrale”, theksoi Ipeshkëvi i Kosovës, Imzot Gjergji.
Në Katedralen Nëna Terezë në Prishtinë, gjatë manifestimit treditësh Ditët e Nënës Tereze këtë vit  është hapur ekspozita e fotografive dëshmi kohe gjatë çerek shekulli – 25 vjetëve të Shoqatës Humanitare Bëmirëse të Kosovës Nëna Terezë, e cila u themelua edhe si pjesë e rezistencës përballë pushtimit e dhunës dhe e lëvizjes gjithëpopullore për liri e pavarësi.
Katedralja Nëna Terezë, si në meshë ashtu edhe në koncert, ishte e mbushur përplot qytetarë të komuniteteve e besimeve të ndryshme, si dhe pjesëtarë të misioneve diplomatike, pranisë ndërkombëtare në Kosovë.
 Në qytetin jugor kosovar të Kaçanikut është mbajtur pardje Manifestimi Nënë Tereza – Simbol i Dashurisë dhe Bamirësisë, ku morën pjesë krerë të Kishës Katolike të Kosovës, të Bashkësisë Islame të Kosovës, përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale, të ftuar të tjerë dhe qytetarë të shumtë.

Viewing all articles
Browse latest Browse all 364

Trending Articles



<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>